Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili akuzohet për trafik ndërkombëtar droge në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, do të kërkojë pushimin e çështjes në seancën paraprake. Sipas avokatit të tij, Prokuroria nuk ka asnjë provë që implikon Tahirin në këto akuza.
Në Apelin e Krimeve të Rënda u rrëzua ankimi i Prokurorisë ndaj vendimit të Shkallës së Parë, e cila caktoi datën 10 Mars si afat për të përfunduar hetimet ndaj ish-ministrit.
Apeli ka lënë në fuqi vendimin e datës 11 Shkurt, duke rrëzuar akuzën. Megjithatë kjo kërkesë nuk kishte më vlerë, pasi Prokuroria përfundoi hetimin dhe i komunikoi akuzën Tahirit. Haxhia paralajmëroi kallëzim penal për prokurorët e dosjes.
Pritet që dosja e ish-ministrit të kalojë në seancë paraprake aty ku do të vendoset përfundimisht nëse shkon në gjyq themeli apo i kthehet prokurorisë për veprime të tjera. Avokati i Tahirit, tha se në këtë seancë nuk do të kërkohet gjykim i shkurtuar.
Tv Klan