Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Në zyrën e Avokatit të Popullit, u mblodhën sot përfaqësuesit e shoqatës kombëtare të ish-të përndjekurve politikë kryesuar nga Kurt Kola, shoqatës së ish-të përndjekurve demokrat anti-komunist, shoqatës mbarëkombëtare të ish-të përndjekurve politikë, si dhe përfaqësuesi i qeverisë, sekretari i përgjithshëm zoti Ylli Manjani dhe drejtori i Institutit të Integrimit të ish-të përndjekurve politikë, zoti Simon Miraka.
Pjesëmarrësit pranuan rolin ndërmjetës, sipas Kushtetutës, të institucionit të Avokatit të Popullit dhe shprehën besimin e tyre në këtë rol të tij. Ata shprehën angazhimin e tyre, për institucionalizimin e dialogut, për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve brenda standardeve kushtetuese dhe ligjeve në fuqi.
Qeveria kërkoi si kusht, për vazhdimin e bisedimeve, unifikimin e kërkesave të të gjitha shoqatave pa përjashtim, me qëllim që zgjidhja që do të propozohet nga institucionet vendimmarrëse kushtetuese, të jetë e gjithë pranueshme dhe përfundimtare. Palët gjithashtu ranë dakord të nënshkruajnë një marrëveshje, si bazë për fillimin e negociatave, që do të çojnë në hartimin sa më shpejtë të jetë e mundur të një projektligji, që do të çojë drejt zgjidhjes përfundimtare të këtij problemi./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora