Pas 6 ditësh intubim në spitalin e Traumës, avokati Sokol Mëngjesi do të dërgohet në Greqi për mjekim më të specializuar.
Burime nga Spitali i Traumës bën të ditur se mjekët kanë dhënë miratimin për dërgimin e tij jashtë shtetit, ndaj dhe ai do të transportohet në orët në vijim drejt Athinës me një avion të posaçëm sanitar.
Gjatë paradites së kësaj të hëne mjekët e Spitalit të Traumës dhanë shpresa se gjendja e avokatit ishte drejt përmirësimit dhe se nga ekzaminimet ka rezultuar se kishte ulje të ënjtjes në tru dhe se tashmë kishte nisur zgjimi gradual i tij nga intubimi.
Por duket se edhe me këmbënguljen e familjarëve ata kanë lejuar që ai të dërgohet për t’u trajtuar në vazhdim në një spital në Athinë.
Prej së mërkurës së shkuar, avokati Mëngjesi ndodhej nën kujdesin intensiv të mjekëve të Spitalit të Traumës, për shkak të dëmtimeve të pësuara si pasojë e sulmit fizik.
Për këtë ngjarje policia ka identifikuar 4 autorët dhe organizatorin e sulmit, Dritan Nano. Ky i fundit është vënë në pranga së bashku me një nga agresorët, Dorian Aliun.
Sakaq vijojnë kërkimet për 3 autorët e tjerë. Policia ka ushtruar kontrolle në disa qytete të vendit.
Për kapjen e tyre është vënë në dispozicion dhe një shpërblim prej 20 mijë eurosh, ndërsa mësohet se paralelisht ka negociata me familjarët e tyre për t’u vetëdorëzuar.
Tv Klan