Dy suita baleti mbi dashurinë, Rajmonda dhe Spartaku, me koreografi te balerinit te njohur shqiptar Leonard Ajkun Xhokaxhi, janë ngjitur me sukses ne skenën e Teatrit te Operës.

Mbi historinë e dashurisë te Rajmondës për Jean-in, qe u celebrua ne fund me martesën e lumtur ne kështjellë te dy te dashuruarve, krijoi suitën për baletin Raimonda kompozitori rus, Aleksandër Glazunov, qe i përket epokës se romantizmit.

Ndërsa Spartakus, përcolli një tjetër kulminacion dashurie, atë midis Spartakut dhe gruas se tij Phrigya, qe pas vdekjes se Spartakut mbyllet ne një finale te dhimbshme dhe heroike.

Ne këtë suite, krijuar nen frymën e folkut armen nga kompozitori ruso-armen, Aram Khachaturian, ne vitet ’50, gjate epokës se arte te Balshoj Teatër, u ngjit vete ne skene Leonard Ajkun, një nga emrat e njohur ne boten e baletit.

Leonard Ajkun Xhokaxhi: “Disa janë rikoreografuar komplet, disa pjesë. Disa është qëndruar besnik origjinalit, sidomos në Rajmonda, disa momente të Spartakut, por në përgjithësi është rigrupuar, rikoreografuar si koncept. Është një vepër, është madhështore, është kolosal, dmth në pikëpamje të artistëve, të forcave të kostumografisë”.

Erisa Gina: “Të dyja pjesët janë natyra të ndryshme dhe pak a shumë kjo e bën dhe të veçantë. Mund të them që Spartaku ka më tepër ndjenjë.”

Këto shfaqje baleti qe kane patur një pritshmëri absolute ne skenat botërore, patën një impakt te bukur edhe tek publiku shqiptar, fale solisteve dhe trupës se baletit dhe rikthimit ne skenën tone te balerinit Astrit Zejnati, dhe padyshim koreografit shqiptar, qe tashme punon ne Nju Jork, Leonard Ajkun Xhokaxhi./tvklan.al