Revolucioni francez dhe poezia klasike vijnë për artdashësit shqiptarë nga regjisori i njohur, Antonio Petris, që sjell në Tiranë një nga pjesët më të njohura botërore, Andrea Chenier.
Tërheqëse dhe e tmerrshme, e mbushur me frymëzimin e barazisë dhe e lirisë opera e muzikantit, Umberto Xhordano, ka zënë një hapësirë të pazëvendësueshme në historinë e melodramës.
Kritika ndërkombëtare e cilëson këtë vepër të pëlqyer dhe të duartrokitur në mënyrë unanime nga publike në disa vende të botës.
Nën skenografinë karakteristike të Alfredo Trois artistët do të përcjellin emocione të forta duke pasqyruar gjendje shpirtërore të një njeriu të drejtë, të ndershëm, por të errësuar nga dëshira për hakmarrje që e bën atë të pamëshirshëm.
Muzikanti Xhordano është frymëzuar nga vargjet e poetit francez, Andrea Chenier, i cili guxoi të denonconte shfrenimet e revolucionit.
Spektatorët do të mund ta ndjekin premierën e Andrea Chenier në datat 4,6,8 dhe 12 Prill në orën 19:00 pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit./tvklan.al