Kryeministri Rama ka inspektuar kantierin e ndërtimit të kompleksit të godinave qeveritare ku do të akomodohen me zyra disa agjenci që operojnë në fushën e informacionit dhe sigurisë kibernetike si Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor, ai për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike si dhe Agjencia e Inteligjencës Financiare.

Afati i përfundimit është për 18 muaj, por Kryeministri Rama inkurajoi kompaninë ndërtuese për përfundimin e punimeve edhe më herët.

“Kompaninë e kemi shalqi me provë dhe kam shumë besim se do bëhet një punë jo vetëm shumë cilësore por edhe me afat. Këto 18 muaj, mbase dhe nga eksperienca edhe më shpejt mund të mbyllet. Është shumë e rëndësishme për ne”, tha Edi Rama.

Sipas zv/Kryeministres Belinda Balluku, që nga vera e vitit 2022 Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm nisur në sigurinë kibernetike.

“Parashikohet që këtu të ketë vendndodhjen dhe Akademia Kibernetike, për të cilën ne tani kemi folur gjatë, duke qenë se Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm nisur nga vera e vitit 2022 në sigurinë kibernetike duke na rritur me 20.3 vende me indeksin global të mbrojtjes kibernetike apo duke na dhënë edhe çmimin e parë në takimin global të institucioneve të mbrojtjes kibernetike”, tha Belinda Balluku.

Projekti është ideuar si një hapësirë multidimensionale ku krahas zyrave do të ketë edhe ambiente të dedikuara për parkim, salla takimesh, mbledhjesh, apo ambiente të tjera ndihmëse për administratën që do të punojë aty.

Ky projekt po zhvillohet përgjatë Unazës së Tiranës, në rrethrrotullimin që lidh zonën e Saukut dhe Liqenin Artificial i shtrirë në një sipërfaqe prej më shumë se 9 mijë metër katrorë.

Klan News