PD: Mundësi, për zgjidhje konsensuale
Shumica ka konfirmuar qëndrimin e bërë publik edhe nga Kryeministri se do t’i miratojnë pa asnjë ndryshim amendimet në Kod duke rrëzuar dekretin e kreut të shtetit. Taulant Balla që ka folur ne emër të socialistëve nuk ka kursyer dhe etiketimet për kreun e shtetit.
“Ne nuk kemi asnjë ditë për të humbur. Kodi Zgjedhor tashmë është një Kod shumë i plotë. Çdolloj vonese e shkaktuar për shkak të një Presidenti mistrec dhe hileqar, unë besoj që ne kemi të gjitha mundësitë që të vijojmë punën”, tha Balla.
Por opozita e cila nuk pranoi të përfshihej në amendimet e reja në Kod të miratuara nga parlamentit në 5 tetor përshëndet dekretin e Kreut të Shtetit.
Gazmend Bardhi e vlerëson si një mundësi për gjetjen e zgjidhjeve konsensuale.
“E shoqëruar me kërkesën për marrjen e opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias, është jo vetëm një akt i pjekur në vazhdën e traditës politike dhe parlamentare 30 vjeçare, por edhe një mundësi e mirë për të rikthyer gjithë përfshirjen dhe konsensusin politik”, u shpreh Bardhi.
Shumica nuk ka marrë ende një vendim nëse dekreti i Presidenti do t’i çohen në seancën e ardhshme plenare për votim kuvendit.
Tv Klan