Në fund të muajit Tetor shtetet ballkanike përveç Bosnje Hercegovinës do të mund të marrin shumat e premtuara nga Komisioni Evropian pjesë e fondit në total prej gjashtë milliard Eurosh. Lajmi u bë publik nga shefja e rizgjedhur e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen në drekën e punës me liderët e rajonit mbajtur në Bruksel.
“Sot prita liderët e gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor. Të gjashtë vendet i përkasin Evropës. Kjo është ajo për të cilën po punojmë. Paralelisht, ne po afrojmë ekonomitë dhe tregjet e tyre me planin tonë të rritjes prej gjashtë miliardë eurosh për rajon.”
Vetëm Bosnja dhe Hercegovina ka humbur afatin që ishte për të dërguar agjendën e reformave të nevojshme për të marrë fonde financiare nga Plani i Rritjes për rajonin. Von Der Leyen do të vizitojë së shpejti Tiranën dhe kryeqytetet e tjera të rajonit.
Liderët diskutuan edhe për planet e Komisionit të ri Evropian me idenë e afateve konkrete se kur shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të anëtarësohen plotësisht në BE. Shqipëria synon anëtarësimin brenda vitit 2030. Shtetet ballkanike do të jenë pjesë e zonës së vetme evropiane të pagesave.
Nga Plani i Rritjes ekonomike prej 6 miliarde Eurosh shtetet e rajonit përllogaritet që Serbia të përfitojë rreth një miliard e 580 milionë Euro, Shqipëria mbi 1 miliard Euro ndërsa Kosova mbi 880 milionë Euro.
Klan News