Vendet e Ballkanit dhe Evropës Juglindore janë mbërthyer nga një dimër i acartë, por ajo çka e bën të ftohtë këtë stinë është mungesa e theksuar e gazit, një domosdoshmëri e lartë për shumë vende.
Kriza aktuale mes Ukrainës dhe Rusisë ka lënë pa gaz 13 vende evropiane, por më të goditurat janë Serbia, Rumania, Bullgaria dhe Bosnje-Hercegovina, ku pa gaz jetesa duket thjesht e pamundur.
E në këtë krizë të nevojitet më shumë se kurrë një fqinj i mirë, ndaj Hungaria i ka shtrirë dorën Serbisë që u braktis në mëshirë të fatit nga Rusia duke e ndihmuar atë me rezervat e saj me 2 milion metër kub gaz.
Nga ana tjetër kryeministrat e katër vendeve të Visegradit, Sllovakisë, Çekisë, Polonisë dhe Hungarisë janë mbledhur me urgjencë në Bratislavë për të diskutuar mbi masa që do të merren për të dalë nga kriza.
Në Poloni qindra biznese përfshirë rafineritë e naftës rrezikojnë të mbyllen nga mungesa e gazit. Ky vend përdor 13 miliard metër kub gaz në vit, por tani kërkesa ka pësuar një rritje të ndjeshme, megjithatë Polonia është në pozita tejet të mira po të krahasohet me vende të tjera të rajonit.
Në Serbi, Bosnje dhe Bullgari si pasojë e mungesës së gazit jo vetëm që janë mbyllur shkollat dhe kopshtet, por edhe bizneset, spitalet, uzinat dhe shumë furra buke.
Në Sofje 65 mijë shtëpi janë pa gaz. Si pasojë e ngërçit energjetik ekonomia rrezikon 367 milion dollarë humbje në ditë.
Në Beograd 170 mijë shtëpi janë pa gaz, ndërsa temperaturat kanë arritur në -10 gradë celsius.
Në Sarajevë 76 mijë shtëpi nuk kanë ngrohje dhe janë të varur tërësisht nga gazi. Disa janë drejtuar energjisë elektrike, por fatura e ngrohjes është tepër e shtrenjtë./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle