Në të parin urim drejtuar shqiptarëve për vitin që sapo trokiti, zv/Kryeministrja, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi uljen e çmimit të energjisë.

“Gjatë vitit 2025 të ulim çmimin e energjisë elektrike për të gjithë shqiptarët. Kemi ulur nivelin e humbjeve në nivelin 17.83% duke krijuar të ardhura plus për kompanitë dhe duke mundësuar uljen e çmimit të energjisë”.

Krahas punëve të përfunduara, zv/Kryeministrja thotë se qeveria do të çojë përpara një sërë projektesh të reja në infrasktrukturë.

“Në vitin 2024 kemi shënuar gur kilometrik për infrastrukturën. Korridori 8-të do të ndërlidhet me portin e ri në Porto Romano, do të jetë edhe një port sigurie pasi aty do të jetë edhe një bazë e NATO-s”.

Balluku foli për një gur kilometrik edhe në sektorin e Aviacionit Civil.

“Mbi 10 milionë pasagjerë janë ulur në aeroportin e Tiranës që do të pasohet gjatë 2025 me aeroportin e Vlorës që do të nisë operimin e tij në pranverën e këtij viti”.

Balluku premton se i njëjti standard europian për Unazën e Madhe të Tiranës do të ndiqet për të gjithë veprat infrastrukturore në mbarë vendin.

Mesazhi i ministres Belinda Balluku:

Në këtë ditë të parë të 2025 dua të uroj të gjithë shqiptarët për një vit të mbarë me shëndet e begati e plot harmoni në familjet e tyre. Por mbi të gjitha dua të uroj e të falënderoj punonjësit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe ndërmarrjeve të varësisë, të cilët kontribuojnë në sektorin energjetik dhe në atë të infrastrukturës, për gjithçka kanë bërë gjatë vitit 2024, për premtimet e mbajtura dhe qëllimet e arritura. Në vitin 2024 kemi shënuar gur kilometrik për infrastrukturën. Hapja e tunelit të Llogarasë, një nga ëndrrat në sirtar të të gjitha qeverive, u realizua në vitin 2024 nga qeveria Rama. Gjithashtu, patëm mundësi që të nisim punën dhe të dorëzojmë një nga segmentet më të rëndësishme të Korridorit Blu, Thumanë-Kashar ka filluar të jetë në përdorim nga fundi i Qershorit 2024, duke u pasur me lidhjen e kontratave për 3 segmentet e tjera të këtij Korridori dhe hapjen e garës ndërkombëtare për ndërtimin e segmentit Milot-Balldren i shumëpritur nga Shkodra dhe nga Lezha. Nga ana tjetër duhet të themi që shumë punë të mira do të bëhen dhe në vitin 2025. Kemi një kantier që është një nga kantieret më të rëndësishëm, ai i Korridorit 8, aty ku punohet për të ndërtuar një ndërlidhje e cila do të jetë ajo që do t’i japë frymëmarrje jo vetëm Shqipërisë por edhe vendeve të tjera të rajonit. Dhe ky Korridor 8 do të jetë i lidhur me portin e ri të ndërtuar në Porto Romano, gara e të cilit ndërkombëtare tashmë është e hapur. Porto Romano do t’i shërbejë Kosovës edhe Maqedonisë së Veriut. Por gjithashtu do të jetë edhe një port sigurie, pasi aty parashikohet ndërtimi i një baze ushtarake të NATO-s.

Energjia ka bërë hapa të qënësishëm gjatë vitit 2024. Për herë të parë ndërmarrjet tona kanë arritur që të kenë bilance pozitive, të mirëmenaxhuara në aspektin teknik duke ofruar kushte më të mirë të shpërndarjes energjetike apo të transmetimit, por nga ana tjetër ka dhe një arritje shumë të rëndësishme gjatë 2024, stabilizim i financave të këtyre ekonomive duke na dhënë mundësi që gjatë vitit 2025 të ulim çmimin e energjisë elektrike për të gjithë shqiptarët.

Gjithashtu, kemi ulur humbjet teknike në nivelin 17.93, duke krijuar të ardhura plus për kompanitë dhe duke mundësuar kështu uljen e këtij çmimi të energjisë. Gjithashtu kemi arritur që gjatë sezonit veror të përballojmë flukse dhe kërkesë për energji elektrike të paparashikuar dhe të paparë ndonjëherë. Megjithatë, sistemi ka punuar më së miri falë punës së jashtëzakonshme që kanë bërë të gjithë punjonjësit e OSHEE apo edhe ata të OST.

Duhet të kemi parasysh që viti 2025 do të jetë një vit plot sfida për të gjithë sektorët tanë. Ne jemi të sigurt që janë bërë shumë punë të mira, por kemi akoma shumë për të bërë përpara. Unë jam besimplotë se angazhimin dhe dëshirën e madhe që kanë të gjithë punonjësit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, por edhe ata që punojnë në varësitë tona, ne do t’ja dalim për të bërë punë akoma më të mira.

Kemi ndryshuar katërcipërisht sektorin e ujësjellës-kanalizime, duke rritur të ardhurat dhe financat e këtij sektori, duke përmirësuar gjendjen e tyre financiare, por nga ana tjetër duke shërbyer akoma më mirë me sisteme të modernizuara dhe sisteme të sigurta për të gjithë qytetarët.

Një gur tjetër kilometrik është vendosur gjatë vitit 2024, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë, për Aviacionin Civil. Mbi 10 milionë pasagjerë janë ulur në aeroportin e Rinasit, në aeroportin e shqiptarëve, i cili do të pasohet gjatë vitit 2025 me një tjetër aeroport ndërkombëtar, atë të Vlorës, ku të gjithë po presin me padurim operimet e tij nga Vera e këtij viti.

Lajme të mira si ato të fundvitit do të kemi plot gjatë vitit 2025. Ashtu si Tirana u rrethua nga një unazë infrastrukturore moderne që plotëson të gjitha kushtet dhe parametrat, e kriteret e Bashkimit Europian, ashtu do të vazhdojmë të punojmë në të gjithë vendin. Për të përmbyllur të gjitha kantieret që tashmë kanë nisur nga puna apo për të hapur kantieret e reja të cilat do ta çojnë Shqipërinë në një nivel tjetër, në një nivel europian, ashtu siç kemi premtuar, ashtu siç jemi duke bërë me punën tonë çdo ditë.

Gëzuar dhe një vit të mbarë.


Tv Klan