Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Banka e Shqipërisë ndërhyri sot në tregun valutor ndërbankar për të frenuar mbiçmimin e lekut. Dy javët e fundit të Qershorit, leku shënoi një mbiçmim të ndjeshëm ndaj monedhave kryesore, por ka humbur pikë ditët e fundit si rezultat i ndërhyrjes së Bankës Qendrore në treg, duke shitur lekë.

Sipas informacioneve të Bankës Italo-Shqiptare, në tregun tonë të brendshëm valutor, monedha jonë kombëtare është shkëmbyer e qëndrueshme gjatë ditës së sotme ndaj dy monedhave kryesore euros dhe dollarit amerikan.

Ndërkohë në tregjet ndërkombëtare valutore monedha e përbashkët europiane shënoi një rritje ndaj dollarit amerikan në një kohë që tregjet financiare kanë përqendruar vëmendjen në mbledhjen e kësaj jave të rezervës federale amerikane. Pritet që rezerva federale të vendos për normat e interesit për dollarin amerikan./tvklan.al