Prurjet valutore të emigrantëve shqiptarë kanë njohur një rënie domethënëse gjatë 9 muajve të parë të këtij viti, tregues që kriza ekonomike mbarë botërore ka trokitur edhe në Shqipëri.
Sipas raportit më të fundit të Bankës Qendrore transfertat e emigrantëve shqiptarë kanë rënë me 23% krahasuar me nëntë muajt e parë të 2007-ës, duke zbritur në 623 milionë euro.
Ekspertët e ekonomisë kishin parashikuar një tkurrje të dërgesave të emigrantëve drejt Shqipërisë pasi vendet në të cilat ata punojnë dhe jetojnë janë prekur ndjeshëm nga kriza financiare. Pasiguritë për të ardhmen kanë bërë që edhe emigrantët shqiptarë të tregohen dorështrënguar.
Banka e Shqipërisë përllogarit se gjatë nëntëmujorit të ardhurat nga udhëtimet dhe turizmi kanë sjellë rreth 900 milionë euro, një rritje vjetore prej 19%.
Kjo ka ardhur kryesisht si pasojë e rritjes së numrit të jorezidentëve që kanë vizituar vendin, rritje prej 36%, thuhet në raport.
Ndërkaq gati gjysma e totalit të udhëtarëve që kanë mbërritur në Shqipëri kanë qenë emigrantë shqiptarë, pra megjithëse numri i tyre është rritur ata kanë lënë më pak valutë në vend./tvklan.al