Bankat e nivelit të dytë kanë shtrënguar politikat e tyre aprovuese për kreditë në shuma të mëdha si për individët ashtu edhe për bizneset.
Në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë rezulton se tremujori i parë i vitit ka shënuar kërkesë të lartë për kredi, por miratim të ulët të tyre. Si faktor kryesor i refuzimit të tyre është bërë perceprimi që bankat kanë për rrezikun e aftësisë paguese dhe mungesa e kolateralit nga kredimarrësit.
Sipas Bankës së Shqipërisë, shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët u aplikua vetëm në kreditë në blerjen e banesave, teksa kushtet u shfaqën më të lehtësuara për kreditë konsumatore. Ndërkohë, në tremujorin e dytë të vitit 2024, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë sërish e lartë, si në financimin e konsumit, ashtu edhe në blerjen e banesave.
Sa i takon biznesit, standardet u lehtësuan disi për bizneset e vogla e të mesme që përbëjnë dhe segmentin me numrin më të madh të sipërmarrjeve, ndërkohë që mbetën të pandryshuara për bizneset e mëdha. Ndërkohë, sipas pritshmërive të Bankës së Shqipërisë, kërkesa për kredi nga bizneset do të vijojë të rritet.
Tv Klan