Lajme Arkiva 2003
Prej 4 ditësh 16 mijë banorë të 12 fshatrave në Delvinë, kanë bllokuar rrugën Delvinë –Sarandë në shenjë proteste për mungesën e energjisë elektrike dhe gjendjes së rrugëve. Në këto fshatra dritat mungojnë 12-14 orë në ditë, ndërsa banorët paguajnë energjinë në masën 100%, madje edhe kamat vonesat.
Problem shqetësues për banorët mbetet rruga Sarandë-Delvinë që ndodhet prej vitesh jashtë çdo standardi. Rruga është bllokuar për 6 orë radhazi dhe banorët paralajmërojnë se nëse nuk ka reagime nga pushtetarët ata të mërkurën do të bllokojnë rrugën nacionale që lidh Sarandën me Tiranën dhe Greqinë, në vendin e quajtur Ura e Gojdanit.
Banor: Ne kërkojmë drita 24 orë, ne në fshatin tonë dhe në të gjithë krahinën tonë jemi zona e tretë në republikë që na fiken dritat rreth 14 orë. Kjo është një padrejtësi. Ne kërkojmë që ata që nuk paguajnë dritat le ti priten dritat. Tjetra, rrugët e Delvinës janë bërë aq keq sa makinat nuk mund të kalojnë.
Ndërkohë KESH nëpërmjet një deklarate për shtyp ka pranuar se dritat në këtë zonë ndërpriten por është justifikuar me faktin se megjithëse arkëtimet janë në masën 80%, humbjet në rrjet janë në masën 43%, pra ulet koeficienti real i arkëtimeve.
Megjithatë KESH lajmëron se të mërkurën në orën 10:00 do të realizohet një takim mes drejtuesve të pushtetit vendor me banorët e irrituar gjatë të cilit do të bisedohet edhe për mundësinë e reduktimit të kufizimeve gjatë orëve të natës dhe vendosjen e matësve./tvklan.al