Lajme Arkiva 2003

Kriza për furnizimin me ujë të pijshëm ka nxjerrë në shesh qytetarët e Durrësit. Me shishe në duar dhe me parulla të tilla si “Duam ujë”, mbi 200 banorë janë  mbledhur në sheshin e Lirisë përpara godinës së prefekturës.

Promotorë të kësaj proteste janë bërë shoqata të ndryshme jo qeveritare të cilat patën edhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Qyteti i Durrësit furnizohet me ujë të pijshëm nga burimet e Fushë Kuqes. Këto burime furnizojnë afro 400.000 banorë të zonave përreth. Udhëheqësit e opozitës pretendojnë se uji është i pamjaftueshëm por paaftësia dhe keq menaxhimi i pushtetarëve bëjnë që kriza të përsëritet çdo verë.

Aktualisht Durrësi furnizohet një orë në ditë me ujë. Pavarësisht nga kjo pika fundore të qytetit si Spitalla, Shkozeti apo plazhi kanë mbi dy javë që nuk marrin ujë. Prefekti i Durrësit Gëzim Agasi ka urdhëruar ngritjen e shtabit të emergjencës për problemin e ujit.

Gjithsesi si për t’i rikujtuar prefektit situatën e vështirë, protestuesit në fund i kanë lënë shishet bosh në shkallët e zyrës së tij. Ishte parashikuar që në fund të këtij muaji ujësjellësi do të merrte në dorëzim dhe do të vinte në shfrytëzim tubacionin e ri kryesor, por kompania italiane që ndërtoi Urën e Dajlanit ka dëmtuar tubacionin e ri dhe afati i dorëzimit është shtyrë. Qytetarët Durrsak janë zotuar se do të vazhdojnë të protestojnë për ujin./tvklan.al