Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rrëshqitja masive e dheut ka mbuluar 42 shtëpi në fshatin Cërrunj, rreth 23 km larg nga Elbasani, por pa shkaktuar viktima, ndërkohë që janë evakuuar banorët e fshatit. Fenomeni i rrëshqitjes masive të dheut ka qenë një rrezik serioz, për rreth 230 banorët e fshatit, të cilët prej katër ditësh ndodheshin në qiell të hapur, pas përsëritjes së këtij fenomeni.

Në vitet 1997-1998, në këtë fshat nga rrëshqitja e tokës u shkatërruan 28 shtëpi, banorët e të cilëve u ndihmuan me rreth 640 mijë lekë nga shteti, ndërsa pothuajse gjysma e tyre jeton ende në çadra. Shirat e ditëve të fundit, kanë bërë të pakalueshme rrugën që të çon në fshat dhe e vetmja mundësi komunikimi për këta banorë është përroi i Zaranikës.

Banorët e këtyre familjeve të dëmtuara rëndë nga rrëshqitja e tokës në fshatin Cerrunjë të Elbasanit, kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të shtetit për zgjidhjen e këtij problemi.

Banori 1:- “Kemi 4 vjet, që ne jetojmë jashtë, jetojmë me çadra, fëmijët tanë janë të ftohur. Tani ka rreth 3-4 ditë, që ka filluar prapë rrëshqitja e madhe në masë, mbi 1500 km”.

Banori 2:- “Nuk kemi para, ku të vemi, ku të shkojmë. Sot fëmijët tanë rrinë jashtë, në akull, në shi, në borë. Ushqime jo, drita jo, nuk dimë se si t’ia bëjmë”.

Po sot, Ministri i Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit Ben Blushi, ka zhvilluar takim në prefekturën e Elbasanit me banorët e këtij fshati. Mundësisht që sot të largohemi nga zona, në të cilën ka rrëshqitje të tokës, për të shmangur ndonjë tragjedi dhe do të strehoeni përkohësisht tek të afërmit ose në ambiente që do të sigurojë komuna, u shpreh ministri Ben Blushi./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti