Lajme Arkiva 2003

Regjistrimi i banorëve që jetojnë në zona ende të palegalizuara në Bashkinë e Kamzës mbetet problem. Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit prej kohësh i ka kërkuar kësaj bashkie që të evidentoj të gjithë banorët e paregjistruar.

Përveç kësaj bashkisë i është kërkuar edhe evidentimi i banorëve të shpërngulur të cilët janë të regjistruar në dy zona banimi. Sipas të dhënave nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit për shkak të punës së dobët të bashkisë së Kamzës rreth 1200 banorë janë të regjistruar dy herë si në vendbanimin e vjetër ashtu edhe n vendbanimin e ri.

Kryetari i bashkisë së Kamzës hedh poshtë pretendimin e Ministrit të Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit duke thënë se nuk ka asnjë ngadalësim të këtij procesi.

Fran Gjini: Absolutisht, nuk ka asnjëlloj pune të ngadalshme nga bashkia. Absolutisht! Bashkia është në dispozicion të qytetarëve të cilët kryejnë të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me zyrat e gjendjes civile. Ne madje nga kontaktet që kemi marrë me ata banorë, nuk është se ata nuk janë regjistruar. Të paregjistruar janë shumë pak, por ata banojnë këtu dhe janë të regjistruar në zyrat e gjendjes civile në Laprakë, në zyrat e regjistrimit në Paskuqan dhe diku këtu përreth në Domje, Bërxull. Nuk është se s’janë të regjistruara, por banojnë këtu dhe për efekte të shumë arsyeve ekonomike të cilat i dinë vetëm vetë, ata janë të regjistruar atje dhe banojnë këtu. Nuk ka asnjë problem se unë jam marr vesh me zyrat e gjendjes civile të atyre komunave dhe s’ka pse, ministria mund të japi udhëzime por këto janë marrë vesh me komunat.

Në të gjitha këto zona janë rreth 8400 banorë të paregjistruar shumica e të cilëve i kanë marrë shpërnguljet që në vitin ’96. Sipas Bashkisë së Kamzës për shkak të mangësive të procedurave ligjore nga ana e Pushtetit Qendror një pjesë e tyre kanë mbetur jashtë regjistrave të gjendjes civile./tvklan.al