Hoxhaj: Tirana zyrtare të japë mbështetje për ish-drejtuesit e UÇK
Pas presidentes në detyrë Vjosa Osmani edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj kërkoi nga klasa politike në Tiranë që të flasë njëzëri lidhur me akuzat e ngritura nga gjykata Speciale për ish-drejtuesit e UÇK-së.
I ndodhur në Tiranë ku u takua me kreun e opozitës, Hoxhaj vlerësoi kontributin e Lulzim Bashës si mbështetës i Kosovës në të gjitha proceset e saj.
“Faktori politik në Shqipëri, të gjitha subjektet politike, të gjitha institucionet shtetërore duhet ti japin mbështetje sa më të madhe shokëve tanë në gjykatë në Hagë . Zoti Basha deri tani në të gjitha kapacitetet që ka pas, të gjitha pozitat që ka pas ka qenë një mbështetës I madh i Kosovës. Faleminderit kryetar.”
Për Lulzim Bashën kontributi më i madh i Shqipërisë është të qëndrojë në krah të Kosovës.
“Një proces i cili kurrsesi nuk mund të lejohet të kthehet në një gjykim ndaj Kosovës, ndaj Luftës Çlirimtare, ndaj drejtuesve dhe luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për këtë kërkohet një bashkërendim i plotë dhe u gjithanshëm midis Shqipërisë dhe Kosovës.”
Pas 25 Prillit Basha premtoi një qasje të re në marrëdhëniet me Prishtinën zyrtare për avancimin e njohjes ndërkombëtare, njohjes së ndërsjelltë midis Kosovës e Serbisë, liberalizimin e vizave, si dhe amëtarësimin në Nato e në BE.
Tv Klan