Në 18-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike në rrethin e Gramshit, Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ka vënë theksin tek ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri gjatë mandatit të qeverisë së djathë, duke u ndalur kryesisht tek reformat integruese për përafrimin e vendit tonë me Bashkimin Europian. Në këtë kontekst, ministri Basha tha se qytetarët shqiptar do të mund të lëvizin pa viza në vendet e BE-së brenda mandatit të dytë të qeverisë.
Lulzim Basha: “Kjo qeveri arriti në më pak se 4 vjet ta nxjerrë Shqipërinë nga listat e zeza, nga fundi i listave të zeza të korrupsionit dhe krimit të organizuar, ta nxjerr atë nga staniacioni duke nënshkruar MSA, Shqipëria është anëtare de-fakto e NATO-s. Unë e planifikojmë që sot të hedhim hapin tjetër. Që në mandatin e dytë të qeverisë Berisha do të jetë një arritje po aq e prekshme sa anëtarësimi në NATO, aplikimin për anëtarësim të plotë në BE, heqjen e vizave për qytetarët shqiptar brenda vitit të parë të mandatit tonë”.
Por ndërsa foli për arritjet, ministri Basha tha se gjatë këtyre viteve, janë bere edhe përpjekje nga kundërshtarët politike, për të zbehur arritjet dhe ndryshimin që solli kjo mazhorancë.
Lulzim Basha: “Është dikush që sillet nëpër Shqipëri me një sfond të bukur e të pikturuar me ngjyra të ndezura, që në ekranet e disa televizioneve del natë për natë me xhufka të cilat mendon se i marrin mendjen njerëzve. Ky njeri flet për ndryshim, e shkruan me shkronja të mëdha, ky njeri flet për ndryshim sikur ka ardhur në Shqipëri dje apo pardje dhe jo sikur është përgjegjës për 10 vjet, 10 vjet rresht pa asnjë shkëputje për fenomenet më të zeza që sistemi i kaluar politik i injektoi shoqërisë shqiptare. Sot na flet në emër të një ndryshimi të madh, në emër të një ndryshimi përtej të majtës dhe të djathtës, aty ku qytetarët gramshiotë dhe si të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë se çfarë ka, boshi dhe pastaj fenomenët më të shëmtuar të kësaj shoqërie. Konkluzioni i interesave, krimi i organizuar, korrupsioni”.
Gjithashtu, në Gramsh, ministri Basha ka uruar dhjetëra të rinj që kanë pranuar programin dhe arritjet e PD-së, duke u bërë anëtarët më të rinj të kësaj partie në këtë qytet./tvklan.al