Kur kanë mbetur 10 ditë nga opinioni që Komisioni i Venecias pritet të japë për ligjin e vetting-ut, Kryetari i Partisë Demokratike nga mbledhja e Grupit Parlamentar i ka bërë me dije deputetëve të opozitës se përkthimi i dërguar nga ana e Gjykatës Kushtetuese në Venecia është jo korrekt.
Opozita pretendon se gabimet në përkthim janë bërë pikërisht në dispozitat që Partia Demokratike I cilëson si antikushtetuese.
Për këtë problematikë Basha mësohet t’i ketë thënë deputetëve demokratë se ka vënë në dijeni jo vetëm gjykatën kushtetuese, por do të informojë zyrtarisht edhe Komisionin e Venecias.
Pas mbledhjes së grupit kreu i demokratëve u pyet edhe nëse ka negociata mes tij dhe kryeministrit Edi Rama për amendimin e ligjit të vetting-ut.
Lulzim Basha, kryetar i PD-së:
Do ishte e çuditshme që pasi e ka përdorur si pretekst dhe vazhdon ta përdorë si pretekst për dështimin e tij në mos hapjen e negociatave, për mashtrimin e tij sepse para një jave tha se negociatat de facto u hapën, që tani ai të pranojë të ulet me opozitën. Unë ja thashë dje. Kjo do të ishte rruga për ta bërë, por nuk ai nuk ka për ta bërë sepse e do vetting-un si pretekst. Sigurisht këtë mund tua shesë vetëm gomerëve se njeri faqe Shqipërisë që ta besojë këtë nuk ka.
Një ditë më parë Kryetari i Partisë Demokratike e ftoi kryeministrin Edi Rama të amendojnë vettingun, pavarësisht se ligji ndodhet në tryezën e Gjykatës Kushtetuese./ TV KLAN