Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka votuar sot për listën e deputetëve të Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat pas votimit, Basha u shpreh se procesi i përzgjedhjes së kandidatëve është një risi.

Është një risi dhe një model për të gjithë rajonin, demokracia nis nga brenda shtëpisë. Jam i lumtur që një proces që bëhet për herë të parë po shkon drejt fundit. Zëri dhe vota e anëtarëve të Partisë Demokratike do të do të kenë rolin e tyre vendimtar për përcaktimin e përfaqësuesve të lartë”, tha Basha.

Më tej kreu i PD u shpreh se ky proces do të diktojë dhe qeverisjen e nesërme, pasi sipas tij do jenë qytetarët ata që do marrin vendimet.

“Dua të sigurojë të gjithë shqiptarët se procesi që kemi nisur dhe po përfundon, demokratizimi i Partisë Demokratike sot, do të vijojë të jetë nesër dhe kur të jemi në pushtet dhe qeveria të mos jetë peng i një grupi njerëzish”, tha Basha.

I pyetur për përjashtimin nga gara të Klevis Balliut, numri një i demokratëve tha se është anëtarësia ajo që vendos.

“Ky është një proces që vendos anëtarësia dhe mbi anëtarësinë nuk vendos askush. Ky nuk është një proces përjashtues, por fitojnë të gjithë. Të gjithë ata që janë skualifikuar, por do të jenë burime njerëzore për qeverisjen e nesërme”, shtoi kreu i opozitës./tvklan.al