Pas largimit nga Damasku, udhëheqësi sirian Bashar al-Assad dhe familja e tij kanë mbërritur në Moskë. Mediat shteterore ruse raportojnë se familja e ish-Presidentit Assad ka marrë azil politik. Fati i ish-Presidentit mbeti mister për disa orë pas largimit nga Damasku këtë të diele pas marrjes së pushtetit nga forcat rebele.

Ishte fuqia ruse ajo që kishte ndihmuar në mbajtjen e Bashar al-Assad në pushtet për 9 vitet e fundit. Por duket se brenda 7 ditësh, projekti i Kremlinit për Sirinë është shembur, pasi Moska u ndodh e pafuqishme për të mbajtur në pushtet sërish aleatin e saj strategjik në Lindjen e Mesme. 

Presidenti Putin dërgoi mijëra trupa për të mbështetur Presidentin Assad në vitin 2015, pasi një nga objektivat kryesore të Rusisë kishte qenë të afirmohej si një fuqi globale. Shumë media e cilësojnë rënien e regjimit të Assadit një goditje për prestigjin e Rusisë.

Në Damask hyri triumfalisht udhëheqësi rebel Abu Mohammed al-Jolani. Ai i është drejtuar turmave në xhaminë Umajad në qendër të kryeqytetit.

“Kjo fitore, vëllezërit e mi, është një kapitull i ri në historinë e të gjithë kombit islamik. Është një pikë kthese për rajonin. Assad ia dorëzoi Sirinë ambicieve iraniane, duke përhapur sektarizmin dhe korrupsioni në të gjithë vendin. E gjithë kjo betejë, vëllezërit e mi, është thjesht revolucionare. Ne nuk kërkuam ndihmë nga askush, as nuk na mbështeti askush. Përkundrazi, ne u mbështetëm tërësisht në burimet dhe përpjekjet tona. Brenda 11 ditësh, Siria u çlirua nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Ne pamë me sytë tanë se si kaluam 13 vite vuajtje nene regjimin e Assad.”

Lideri rebel Abu Mohammed al-Jolani pritet të luajë një rol vendimtar në përcaktimin e rendit të ri të Sirisë pas përmbysjes së papritur të një gjysmë shekulli të sundimit represiv nga familja Assad.

Por ai mbetet lideri i një organizate të sanksionuar nga OKB-ja dhe nga qeveritë perëndimore dhe nuk pritet të jetë i vetmi lojtar kryesor në skenën e ndryshimit të shpejtë të pushtetit në Siri. Rrotacioni i pushtetit në Siri është festuar nga sirianët që janë shpërngulur pas 13 viteve luftë civile në vendin e tyre, në shumë kryeqendra botërore.

Qytetaret siriane bastisën pallatin presidencial nga ku zbuluan jetën luksoze të sundimtarit të tyre dhe makinat e shtrenjta që kishte koleksion.

Klan News