Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Nga rrugët kryesore në rrugicat e minibashkive. Bashkia e kryeqytetit ka vënë dorë për rikonstruksionin e rrugës “Bedri Karapici”, e cila i përket njësisë bashkiake numër 6, përballë me birrën Tirana. Për të janë vënë në dispozicion mbi 23 milion lekë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku 10% e këtij fondi është mbledhur nga komuniteti.

Kryebashkiaku Edi Rama:- “Në disa zona dhe aty ku kemi përfunduar akset kryesore kemi mundësi tani të futemi më thellë për të garantuar lidhjen e banorëve apo të bizneseve të ndryshme me këto akse. Është një nga rrugët dytësore më problematike pasi ka shumë trafik, ka dhe shumë konsum për arsye të një zone banimi të tërë që lidhet me aksin kryesor”.

Nga një trotuar parashikohet të ndërtohen dy, e kryhen kanalizime dhe ndriçimi i mjaftueshëm. Për 85 ditë bashkia do të marrë në dorëzim këtë rrugë, ku përfitimi do të ndihet nga komuniteti./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti