Olldashi padit Ramën për tokën tek Tajvani

Ministria e Punëve Publike dhe Transporteve ka bërë paraditen e premte kallëzim penal pranë Prokurorisë së Tiranës për Kryetrarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama, në lidhje me tokën e shitur në Parkun Rinia. Ministri Olldashi deklaroi se kanë depozituar kallëzimin për kryebashkiakun për shpërdorim detyre, duke u bazuar sipas tij në shkeljet, që Rama i ka bërë 5 ligjeve të rëndësishme, që kanë të bëjnë me rastet e shitjes së pronave.

Sokol Olldashi: “Në kallëzimin penal që ne i kemi paraqitur pranë prokurorisë, kemi argumentuar të gjitha shkeljet ligjore që ka kryer z.Rama. Shkeljen e ligjit 8744, për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore, i cili parashikon procedurat ligjore dhe mënyrën e transferimit  të pronave. Shkeljen e ligjit 7980 të vitit 1995, për shitblerjen e trojeve, i cili parashikon, se derisa të përfundojë kompensimi fizik i ish-pronarëve, kalimi i trojeve të lira nga pronë shtetërore në pronë private lejohet vetëm në rastet:

  1. Kur përdoren nga enti banesave për ndërtimin e apartamenteve për të pastrehët.
  2. Me Vendim të Këshillit të Ministrave për shitje dhe investime shumë të rëndësishme”.

Sipas Olldashit toka në Parkun Rinia është aseti i qeverisë qendrore dhe shitja e saj nga bashkia e Tiranës është e jashtëligjshme.

Sokol Olldashi: “Ekzistojnë të gjitha kushtet që vërtetojnë, se shtetasi Edi Rama, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në dijeni të plotë  ka ndjekur një praktikë të kundraligjshme për shitjen e një prone, e theksoj prej 1310m katror me nje çmim prej 12 mijë lekësh, mikut të tij politik dhe financiar z.Besnik Sula. Të njëjtin konstatim që ka bërë Ministria e Punëve Publike, ka edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili i ka kërkuar zyrës së regjistrimit të pasurive në Tiranë, që të bllokojë regjistrimin e kësaj prone të shitur në mënyrë të paligjshme, por tanimë pas kallëzimit që ne kemi depozituar në Prokurori, çështja është në duar të organeve të zbatimit te ligjit dhe është në detyrimin e tyre ta hetojnë këtë dosje deri në fund dhe ta japin drejtësinë për këtë rast skandaloz të abuzimit me pushtetin”.

Denoncimi i këtij rasti që daton në vitin 2005, u bë publik vetëm pak ditë më parë. Vetë kryeministri i kërkoi ministrit të Punëve Publike, që të çohen në qeveri brenda javës së ardhshme vendimin për anulimin e shitjes së 1000m katror tokë në Parkun Rinia./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka