Lajme Arkiva 2004

Fshatrat turistik që kanë përfituar lehtësi fiskale do t zgjidhin problemet me shtetin deri në qershor. Ministri i Rregullimit të Territori dhe Turizmit, Bashkim Fino thotë se është i gatshëm të rishikojë pozicionin e personave të stimuluar që kanë marrë me qira fshatra turistik.

Bashkim Fino: “Të gjithë personat e stimuluar që kanë marrë fshatra turistik nuk janë duke mbajtur kontratat që ata  kanë pasur me Ministrinë e Rregullim Territorit dhe të  Turizmit, shumë nga këta persona ose kanë shtuar sipërfaqen e ndërtimit, ose kanë ndërhyrë në lejen e ndërtimit duke mos e zbatuar atë dhe ndërkohë që ata kanë qenë të stimuluar. Punë e parë ata do të paguajnë të gjitha detyrimet që ata kanë me shtetin deri në 1 mars 2004, duket se kjo është gjëja më e thjesht për ta e në të kundërt atyre u ikën e drejta e personit të stimuluar dhe nuk kanë të drejtë më të zhvillojnë turizmin dhe brenda 6 muajve të parë se pastaj i takon këshillit të zhvillimit të turizmit të verifikojë statusin e personit të stimuluar apo të rishqyrtojë një konceptim të ri të këtyre fshatrave turistik, pas kësaj ministria në proces do të përshpejtojë marrjen e lejeve të ndërtimit në KRTSH duke bashkëpunuar me organet e pushtetit vendor dhe me qarqet e duke kaluar në vendimin përfundimtar të KLSH që do të mbyllet brenda muajit qershor të këtij viti”.

Shitja e fshatrave turistik është një nga shkeljet më të rënda sipas Finos, për të cilat zgjidhja mund të gjendet në ndryshime rrënjësore që duhet të marrin miratimin e Parlamentit.

Bashkim Fino: “Shumë objekte , pra vila apartamente që ata kanë ndërtuar në këto fshatra turistike i kanë shitur të tretëve gjë e cila është e pavlefshme. Sepse po të kemi parasysh këta i kanë marrë sipërfaqen e tokës prej 99 vjet me qira shtetit dhe duhet të paguajnë qira ndaj shtetit dhe duke qenë persona të stimuluar për ta zhvilluar këtë lloj turizmi”.

Aksi rrugor ura e Dajlani- Karpen që ka një kosto deri në 6 milionë euro, ka marrë tashmë koston e ndërtimit dhe do të financohet edhe me kontributet e sipërmarrësve të fshatrave turistik, fondet e të cilëve sipas Finos do të mblidhen në një numër llogarie të veçantë. Ky financim do të jetë kusht për leje e reja  të ndërtimit në këto fshatra.

Duket se sezoni turistik i këtij viti do të jetë një nga më të planifikuari, pasi përgatitjet për të kanë nisur që në fillim të shkurtit .

Bashkim Fino: “Kemi filluar nga puna, pra nuk jemi as të shpejtuar dhe as të vonuar do të thoshja sepse realisht ne kemi filluar me promovimin e turizmit, kemi nxjerrë një urdhër prokurimi për të bërë një promovim për turizmin shqiptar rreth 13 milionë lekë të reja”.

Tashmë janë hartuar planet pirr promovimin e  turizmit dhe pastrimin e plazheve.

Bashkim Fino: “35 milionë lekë ne mendojmë ta ndajmë në dy zëra, rreth 20-25 milionë lekë ne duam të bëjmë dudia makineri dhe pajisje për pastrimin e plazheve, duke futur këtu edhe pajisjet, kazanet etj, etj, dhe pjesa tjetër prej 10 milionë të ngelet thjesht si një pastrim. Shumë shpejt  do të dalë edhe një urdhër i kryeministrit ku do të ingradojë të gjitha strukturat përkatëse të qeverisë, duke filluar nga Ministria e Rendit, Ministria e Transporteve dhe nga ministria jon që të ketë vërtetë një qetësi absolute dhe lëvizje të lirë të qytetarëve kosovarë të cilët tashmë kanë disa vjet që bëjnë plazhet e tyre në bregdetin Adriatik dhe të Jonit”.

Turizmi është një ndër të paktët sektorë që kontribuojnë pozitivisht në ekonominë shqiptare me afro 400milionë dollarë në vit sipas të dhënave zyrtare./tvklan.al