Bashkimi Evropian planifikon që përmes investimeve të drejtpërdrejta ekonomike ta zbusë fluksin e emigrantëve shqiptarë nga Maqedonia, që po shënohet pas liberalizimit të regjimit të vizave.

Burrështetasi i parë evropian që  do të arrijë në premtime të këtillë është kryeministri belg, Yves Leterme, i cili do ta vizitojë Maqedoninë më 8 Mars.

Burime në qeverinë e Maqedonisë thonë se gjatë qëndrimit të tij në Shkup, kryeministri belg do ta vizitojë edhe komunën e Likovës si rajon nga i cili është shënuar numri më i madh i emigrantëve shqiptare.

Më këtë rast ai do të premtojë projekte konkrete etnike për këtë rajon. Shqetësim për numrin e madh të azil kërkuesve nga Maqedonia në vendet e BE ka shprehur dhe Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere.

Ervan Fuere: “Qeveria duhet të ndërmarrë masa për të penguar disa agjenci turistike të mos e keqpërdorin liberalizmin e vizave për të mashtruar qytetarët.”

Zv/Kryeministri Vasko Naumovski ka tërhequr vëmendjen se qytetarët nga Maqedonia nuk mundet të fitojnë azil në vendet anëtare të BE-së.

Vasko Naumovski: “Ata qytetarë jo vetëm që nuk do të fitojnë të drejtën e azilit, por ekzistojnë gjasat mëdha që për një periudhë të gjatë ose përgjithmonë të humbin të drejtën për të udhëtuar në vendet e zonën Shengen”.

Pas liberalizimit të vizave  në dhjetor të viti të kaluar mijëra familje shqiptare nga Maqedonia kanë emigruar ne vendet e BE-së me shpresën se do të  fitojë leje për të punuar dhe për të  jetuar atje.

Komisioni Evropian ka kërkuar nga qeveria qetë parandalojë këtë dukuri, kurse në të kundërtën nuk e ka përjashtuar edhe mundësinë për kthimin e regjimit të vizave për qytetarët e Maqedonisë.

Nga Shkupi për Tv Klan Isen Saliu./tvklan.al