Vendimi më i fundit i Parlamentit për të mos ta dërguar çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, por në Komisionin Venecias, solli edhe reagimin e ndërkombëtarëve.
Fillimisht do të ishte delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, ku me anë të deklaratës bën të ditur se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen dhe se votimi i së enjtes në Parlament nuk ishte në drejtimin e duhur.
“Ne kemi shprehur shqetësimet tona edhe në raportin e fundit mbi sundimin e Ligjit në Shqipëri, lidhur me faktin që disa vendime të Gjykatës Kushtetuese nuk janë zbatuar nga Parlamenti, përfshirë edhe në lidhje me këtë çështje, ku vendimi i Gjykatës Kushtetuese daton më shumë se një vit e gjysmë më parë. Ajo çka ndodhi dje nuk është një hap në drejtimin e duhur. Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit”.
Më pas edhe ambasada amerikane në Tirane lëshoi edhe një deklaratë në lidhje me vendimin e mazhorancës, që cilëson si jetike ndarjen e pushteteve dhe zbatimin e vendimeve te Gjykates Kushtetuese.
“Ambasada e SHBA ndan shqetësimin e Delegacionit të Bashkimit Europian lidhur me vendimin e Parlamentit të Shqipërisë për të shpërfillur një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria dhe institucionet duhet të respektojnë rregullat, ligjet, vendimet e gjykatave dhe kushtetutën – të gjitha të cilat janë aty për të siguruar që sistemi demokratik është i shëndetshëm dhe lulëzon”.
Pas këtyre qëndrimeve të ambasadave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve te Bashkuara të Amerikës, erdhi edhe reagimi i kryeparlamentares Elisa Spiropali.
Ajo shprehet se ndan plotësisht bindjen se zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Parlamenti është një çështje thelbësore, pasi lidhet me kontrollet dhe balancat institucionale në sistemin demokratik të vendit.
“Votimi i djeshëm demonstroi se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të një viti e gjysmë më parë dhe së fundmi ai i korrikut 2024, ka nevojë për sqarimin që kërkohet prej po kaq kohësh. Pikërisht me qëllim marrjen e këtij sqarimi dhe dhënien fund të paqartësisë që e ka shoqëruar Kuvendin për mënyrën e zbatimit të vendimit, i jam drejtuar menjëherë sot Komisionit të Venecias si një instancë me prestigj e kompetencë të padiskutueshme. Sapo të marrim nga Komisioni i Venecias opinionin përkatës, do të veprojmë sipas atij opinioni pa humbur asnjë ditë më shumë”.
Spiropali thekson se prioritet të saj si drejtuese e Parlamentit janë ndjekja e vendimeve të mbetura të Gjykatës Kushtetuese.
Tv Klan