Bashkimi Europian mbështet punën e SPAK dhe luftën ndaj korrupsionit dhe krimit. Vetë Ambasadori i BE-se, Silvio Gonzato tha se s’duhet të ketë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për drejtësinë dhe sundimin e ligjit.
Silvio Gonzato, Ambasador i BE në Shqipëri: Ju e dini që ne nuk komentojmë për hetimet që po vijojnë gjatë punës së SPAK-ut, përveçse kur shprehim mbështetjen e punës së SPAK. Gjithmonë do të më dëgjoni që unë mbështes profesionalizmin dhe rëndësinë që ka puna që bën ky institucion. Siç e dini sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar e cila është edhe në thelb të punës së SPAK-ut janë pjesë e kapitujve themelorë të Bashkimit Europian, kapituj që do hapen të parët dhe do mbyllen të fundit në negociatat me BE-në.
I pyetur nga gazetarët për paraqitjen e Kryebashkiakut Veliaj në SPAK, Gonzato deklaroi se nuk ka arsye të ndërhyjë në punën e drejtësisë dhe nënvizoi se bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës do të vijojë në shumë projekte.
Silvio Gonzato, Ambasador i BE në Shqipëri: Nuk do të hyj në këtë çështje sepse ajo i takon SPAK dhe kam besim të plotë tek puna e tyre. Do të vijojmë punën me Bashkinë e Tiranës sepse po bëjë punë shumë të rëndësishme si transporti i gjelbër, do të përurojmë edhe disa shkolla sepse kjo është pjesë e bashkëpunimit tonë. Unë jam këtu për të ndihmuar Shqipërinë dhe që qytetarët shqiptarë të bëhen shtetas të BE-së në të ardhmen. Ky është objektivi ynë.
Në fund të fjalës së tij, Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato tha se sinjalet për Shqipërinë janë pozitive për rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndaj duhet fokus dhe seriozitet.
Klan News