Deklarata e Bashkimit Europian mbi ligjin e lustracionit u cilësua nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, shansi i fundit për kryeministrin Berisha. Në një konferencë për media, Rama theksoi se lexonte në konstatimin e Bashkimit Europian po atë shqetësim të ngritur që në krye të herës nga socialistët se ligji është anti-kushtetues.
Edi Rama: “Përkthimi im për kryeministrin që nuk e kupton gjuhën e Europës, është që ta marrë këtë sinjal me seriozitetin më të madh dhe të kuptojë se u kanë mbetur edhe 151 ditë nga mandati që ai ka marrë për ta ofruar Shqipërinë me Europën. Sali Berisha, s’mund ta zvarrisë edhe më shumë ngase e ka zvarritur rrugën tonë drejt BE-së. Nuk na duhet një ligj që hap dosjet e komunizmit barbarë për të mbyllur dosjet e kapitalizmit familjarë, duke na ndarë më shumë me Europën. Po një ligj lustracioni që flet gjuhën e Europës dhe respekton vlerat e parimet e BE-së. Nuk na duhet një drejtësi nën presion dhe pa efektshmëri që mbyllë sytë përpara malit të korrupsionit qeveritarë, ku një shtet i së drejtës, ku pushteti gjyqësor garanton barazinë e shtetasve përpara ligjit. Ne do t’i drejtohemi menjëherë pasqyrës në fuqi të ligjit, pra pasnesër Gjykatës Kushtetuese ku do te provojë anti-kushtetutshmërinë flagrante të ligjit famëkeq”.
Në fakt socialistët kanë gati tashmë dhe draftin ligjor me anë të të cilit do të mbrojnë argumentin se ligji mbi pastërtinë e figurave të funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve bien ndesh me kushtetutën. Sikurse pohoi dhe kryetari Rama, ankimimi do të depozitohet në kushtetuese, ditën e premte në 30 janar, thënë ndryshe në të njëjtën ditë kur i ashtuquajturi ligji i lustracionit merr fuqi vepruese, pasi ka përmbushur dhe afatin ligjor 15 ditor prej publikimit në fletoren zyrtare.
Kontestimi kryesor i socialistëve lidhet me mënyrën e largimit të funksionarëve të lartë të organeve kushtetuese. P.sh prokuror apo gjykatës si dhe mënyrës së funksionimit të autoritetit të kontrollit të figurave. Ky autoritet sipas selisë rozë merr kompetenca të një organi gjyqësor, çka përbën një shkelje të kushtetutës./tvklan.al
Gazetare: Menada Zaimi
Operator: Klodian Keçi