Bekim Balaj është fituesi i “Topit të Artë 2024”. Sulmuesi Shkodran meritoi këtë çmim për paraqitjen e tij të shkëlqyer gjatë vitit që shkoi. Vlerësimi iu dha në ceremoninë e veçantë Topi i Artë, një ngjarje e transmetuar Live në TV Klan.

“Realisht një vit i gjatë me shumë mundim dhe sakrifica, por dua të falenderoj të gjithë ata që më votuan dhe besuan tek unë. Një falenderim shkon për Vllazninë dhe qytetin e Shkodrës që më ka dhënë shumë dhe do të jem borxhli gjithë jetën”, u shpreh Balaj.  

Për kategorinë e femrave Topin e Artë e mori Ezmiralda Franja, mbrojtësja e ekipit të Vllaznisë.

Por Bekim Balaj i vlerësuar edhe me trofeun e “Këpucës së Artë”, pas 18 golave të shënuar në 36 ndeshje.

Edlir Tetova i Egnatias u shpall edhe trajneri i vitit, pasi skuadra e drejtuar prej tij siguroi të tre trofetë e sezonit, Kampionatin, Kupën dhe Superkupën e Shqipërisë

Dy çmime të veçanta u dhanë për futbollistët e kombëtares. Kapiteni Berat Gjimshiti u vlerësua nga futbollistët e kombëtares si lojtari më i mirë shqiptar i vitit. Trajneri Sylvinho i dorëzoi çmimin nënës së Beratit

Ndërsa me çmimin “Zemra Kuqezi” u vlerësua Ylber Ramadani i cili mori trofeun nga Besmir Limani, i cili njihet nga të gjithë si Fytyra me Shqiponjë dhe kryeministri i vendit Edi Rama.

Edi Rama: Sepse vërtet edhe në fushë si zemra e skuadrës, Ylber Ramadani!

Ylber Ramadani: Jam i nderuar dhe i  privilegjuar që e marr këtë çmim. Ju falenderoj shumë dhe premtoj se do të bëj akoma më shumë që të shkojë përpara gjithë Shqipëria.

Mikpritësi i këtij eventi, presidenti i Federatës Armand Duka

Armand Duka, President I FSHF: 17 fusha futbolli janë shtuar këtë vit, 2 stadiume janë rikonstruktuar, por përsëri është pak. Në bashkëpunim me qeverinë do të shtojmë 5 stadiume të reja, në Durrës, Tiranë, Korçë, Vlorë e Kavajë. Faleminderit ekzekutivit, bashkive dhe partnerëve privat që besuan e u angazhuan në projektet tona të infrastrukturës, duke krijuar hapësira të reja për të gjithë komunitetet tona dhe duke u dhënë shpresë të rinjve që ëndërrojnë një të ardhme në sport.

E konceptuar si në formën e një spektakli dhe e drejtuar me klas nga Ardit Gjebrea, në ceremoninë e Topit të Artë pati të ftuar të veçantë siç ishte Anna Oxa e cila dhuroi performancën e saj.

Surprizuese ishte edhe performanca e trajnerit të kombëtares Sylvinho me vajzën e tij Tati me këngën My Way.

Tv Klan