Lajme Arkiva 2003

Gjykata e Tiranës pritet ta shqyrtoj në ditët e ardhshme padinë e Ministrit të Pushtetit Lokal Ben Blushi, kundër kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha. Gjyqtarja Akelina Gazidede u caktua me short për të shqyrtuar çështjen civile.

Ministri Blushi kërkon të dëmshpërblehet me 100 milion lekë të vjetra nga lideri demokrat Berisha, për shpifjen e cila sipas paditësit i është bërë gjatë një seance parlamentare. Pak ditë më parë Blushi u Paraqit në prokurorinë e përgjithshme ku i kërkoi autoriteteve të saj të hetohet për akuzat e Berishës, por organi i akuzës nuk ka nisur hetimet për këtë ndërsa pohon se është duke verifikuar dokumentet që paraqiti vetë ministri Blushi.

Ai është zyrtari i parë që i drejtohet gjykatës dhe prokurorisë për akuzat e kryetarit të Partisë Demokratike. Berisha ka pohuar shpesh publikisht se ka dokumente që vërtetojnë implikimin e shumë deputetëve apo anëtarëve të Partisë Socialiste në klane droge dhe vepra të tjera që përbëjnë precedentë penal.

Ndërkohë as vetë zoti Berisha nuk i është drejtuar asnjëherë gjykatës për dosje që ai pretendon se vërtetojnë akuzat ndaj kundërshtarëve të tij politikanë./tvklan.al