Ben Blushi, rimerr Otellon e Shekspirit dhe e sjell në botën shqiptare. “Otello, Arapi i Vlorës”, është romani i dytë i shkrimtarit dhe politikanit të karrierës Ben Blushi, që tej tribunës politike nuk mund të lërë pas dore pasionin për të shkruarit.

Duke rimarrë historinë e Otellos së Shekspirit, një histori dashurie dhe xhelozie, ku e dyta vret të paren, Blushi i ndërron sfondin dhe e vendos atë dy shekuj me parë se dramaturgu anglez, por tashmë në Vlorën para otomane dhe në Venedik. Otello i Blushit për shkak të rrethanave shqiptare është me i pafat se ai i Shekspirit.

Ben Blushi: “Unë kam vendosur ta sjell Otellon në Vlorë, sepse besoj që përmes këtij libri mund të ndriçohet një pjese e historisë së Vlorës apo dhe të Shqipërisë, shumë interesante para pushtimit turk. Besoj që duke sjellë Otellon në Vlorë, mund të tingëllojë edhe raporti i shoqërisë ku jetojmë sot, në shek. 21. Otello ish një njeri me ngjyrë në shek. e 16-të. E kam marrë Otellon duke i ndryshuar sfondin pak a shumë, e kam sjellë në Vlorë dhe thash përveç arsyeve të tjera edhe për të treguar raportin që ka sot shoqëria të barabartë apo të ndryshëm se kjo është një gjë që nuk është tipike vetëm për historinë shqiptare, por është një problem  integrimi që akoma bota s’e ka zgjidhur.”

“Otello, Arapi i Vlores” vjen për lexuesin shqiptar pas plot 1 viti, nga suksesi që shkrimtari arriti me të parin roman të “Të jetosh në ishull”, i cili përpos suksesit të paarritur më parë në botimet shqiptare, me 20 mijë kopje të shitura në dhjetë muaj, hapi dhe një debat të gjerë publik. Mes dualitetit politik-letërsi, për Ben Blushin është e vetëkuptueshme se letërsia i jep mundësi të thotë atë që në foltoren e politikës nuk mundet. 

Ben Blushi: “Letërsia të jep një shije që politika s’ta jep dot ose profesionet tjera në fakt nuk ta japin dot gjithmonë. Për sa kohë mendoj, besoj që ka arsye për të shkruar. Letërsia është një mënyrë për të thënë disa gjera që s’i thua dot ndryshe.”

Në promovimin e romanit të dytë nuk mund të mungonin miqtë e vjetër të gazetarisë dhe ata të politikës, të cilëve u ka dhuruar edhe autografin e vet. Në këtë udhe që shkrimtari dhe politikani Ben Blushi, e ka vendosur mirë mbi shina së shpejti mund të na njohë me librin e tij të radhës. Madje ai na shuan një kureshtje:

Ben Blushi: Në sirtar? Po kam zgjedhjet e 28 qershorit.”/tvklan.al