Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në mirëkuptim të plotë për herë të parë, parlamenti ka miratuar ngritjen e një komisioni të posaçëm për përgatitjen e projektligjit për organizimin e ndarjes territoriale. Komisioni përbëhet nga 16 anëtarë dhe në fund të muajit Prill 2005, do të paraqesë skemën e reformës territoriale. Sipas ministrit Ben Blushi, reforma territoriale do të jetë gati për zgjedhjet e vitit 2006.

Ben Blushi: “Sigurisht që një reformë territoriale shoqërohet gjithmonë me probleme me komunitetet, ka një traditë të konsoliduar në Shqipëri, kur çdo fshat, mundësisht çdo oxhak do të jetë komunë më vete, apo fshat më vete, besoj që duhet të ecim përpara, duke shmangur këto paragjykime, por padyshim një reformë territoriale që gjeneron konsensus dhe sot është garantuar një konsensus politik paraprak është gjithmonë më e lehtë dhe kjo ishte arsyeja që qeveria pranoi që të ulet me opozitën, për të shmangur keqkuptimet apo devijimet e këtij karakteri. Natyrisht që reforma territoriale dhe kriteret që ne kemi sugjeruar komisionit dhe që besoj do të merren në konsideratë, marrin parasysh që të respektohet traditat kulturore, fetare, ndarjet gjeografike, apo problemet që mund të kenë zona të caktuara, të cilat është e pamundur të kombinohen brenda një njësie administrative”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj