SPAK mbyll hetimet javës tjetër. Ish-ministri: Do të përballem me gjykatën, jo me prokurorinë
Javën tjetër SPAK mbyll hetimet për koncesionin e sterilizimeve, por ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj thotë se ende nuk e ka të qartë statusin e tij në këtë çështje. Me siguri deklaron se do të përballet me Gjykatën dhe jo Prokurorinë e Posaçme.
“E drejta ime do të përballet në gjykatë dhe jo në prokurori. Unë kam 4 muaj në hetim dhe kur kam kërkuar aktet më është vënë para një urdhër i kancelares që flet për palë të treta. Atëherë duhet të ma ndajnë, a jam në hetim apo palë e tretë.”
Beqaj kërkon prej kohësh të njihet me aktet hetimore, por SPAK ka vendosur një shumë prej 120 mijë lekësh për tërheqjen e tyre.
“Unë jam përpjekur të jem në marrëdhënie institucionale me institucionet e drejtësisë, dhe javën tjetër do të ketë një tjetër seancë për këtë vendim.”
Beqaj ka kërkuar nga hetimi se përse nuk është zbardhur kontrata koncesionare. Klan Neës e pyeti ish- ministrin nëse marrja në pyetje e zonjës Manastirliu a kishte lidhje me këtë kërkesë të tij.
“Kam kërkuar të hetohet pse nuk u vu në punë 2 vjet e gjysmë por u mbajt aty kur nevoja ishte ulëritëse dhe avantazhet që ka sjellë kjo kontratë në krahasim me kohën kur nuk përdorej centrali i sterilizimit.”
Për ish-ministrin Beqaj, gjykata ka dhënë masën detyrim paraqitje. Javën tjetër SPAK pritet të mbyllë hetimet dhe të ngrejë akuzat për koncesionin e sterilizimit.
Klan News