Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, do të gjykohet në themel nga një treshe gjyqtarësh për dyshimet se ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën në koncensionin e sterilizimit të mjeteve mjekësore.

Gjykata e Posaçme dhe SPAK, thonë se këtë krim, ish-ministri e ka kryer në bashkëpunim si grup i struktuaruar kriminal me ish-zëvendësin e tij, Klodian Rrjepajn dhe biznesmenin, Ilir Rapaj.

Të tre ata janë në masë sigurimi “Arrest në burg” dhe këtë të enjte kundërshtuan akuzat dhe deklaruan se ishin të pafajshëm.

Në një reagim të shpërndarë për mediat, Beqaj pretendoi se vendimi ishte i ndikuar politikisht.

“Keni qenë e ndikuar në këtë proces dhe vendimmarrja juaj e vërteton këteë. Ndikimi është dukshëm politik, konformist, personal dhe shoqëror. Vendimmarrjen tuaj e ka duartrokitur si z. Sali Berisha ashtu dhe znj. Albana Vokshi, sepse ju keni mbështetur akuzat e tyre politike. Ndërkohë, vendimmarrja juaj i shkon për shtat edhe vendimmarrjes së mëparshme të paligjshme të Gjyqtarit Erion Bani paçka se çdo gjë tani është parashkruar.  Ç’rëndësi ka nëse unë kam vjedhur apo jo. Në të vërtetë e rëndësishme është që PD të ketë tani gojë të pretendojë që unë jam hajdut sepse deri më tani dhe shpërdorimi i detyrës nuk arrinte të mbante dot veten në këmbë”, është shprehur ish-ministri Ilir Beqaj.

Të pandehur në gjyq për dosjen e Sterilizimit, shkuan edhe 6 ish-zyrtarë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”.

SPAK fillimisht dorëzoi në gjykatë dosjen duke akuzuar ish-ministrin vetëm për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” pasi kishte lejuar dhënien e koncensionit në kushtet e konfliktit të interesit.

Tv Klan