Revista spanjolle “La Vanguardia” i ka kushtuar një reportazh qytetit të Beratit. Mijëra dritare zbresin si një kaskadë fasadash në shpatin e kodrës, të kurorëzuar nga një kala. Xhamitë, kishat ortodokse plot me afreske bizantine, bashkëjetojnë me një gastronomi të pasur dhe të shëndetshme.
Të gjitha këto i gjeni në Berat, një nga xhevahirët e Shqipërisë dhe pa dyshim, një nga qytetet më të bukura të vendit, shkrun media spanjolle. Berati është shpallur një vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO në vitin 2008. I gjithë qyteti, i vjetër, është ruajtur në mënyrë të përkryer.
Shtëpi tipike të arkitekturës osmane, fasadat e bardha të të cilave me mijëra dritare zbresin në dy shpatet e luginës, të japin ndjesinë e një ujëvare harmonike. Shumë prej këtyre shtëpive janë ende të banuara dhe shumë të tjera janë shndërruar në hotele të vogla. Zona e re është me shtëpi e ndërtesa moderne, ku familjet jetojnë dhe shëtisin nëpër qytetin e vjetër të zhytur në histori dhe traditë.
Qyteti dominohet nga një kala e shekullit XIII, e vendosur në majë të malit. Nga maja e kalasë mund të admironi pamjen panoramike të qytetit dhe të gjithë luginës. Në Berat vizitorët mund të admirojnë dhe Muzeun ikonografik Onufri, të piktorit më të shquar të ikonave në Shqipëri.
Po ashtu një nga pikat e fortë është edhe gastronomia, vizitorët e shumtë të Beratit mund të shijojnë kuzhinën tipike të zonës, me perime dhe mishra të shumtë të përgatitura në mënyrë tradicionale.
Sipas të dhënave zyrtare në periudhën Janar – Tetor në Shqipëri kanë ardhur 10.4 milionë vizitorë të huaj.
Klan News