Veprime të një diktature i ka cilësuar kryetari i PD, Sali Berisha përplasjen e ndodhur të enjten mes policisë dhe deputetëve. Në konferencën për mediat, teksa thotë se ishte një akt puçist, Berisha tha se në vendin tonë nuk ka ndodhur kurrë që Policia të futet në ambientet e Kuvendit pa një urdhër të veçantë.
Teksa akuzon qeverinë si të lidhur me krimin e organizuar, kryedemokrati zotohet se PD do të ngrejë Komisionin e së Vërtetës për të ekspozuar bashkëpunimin e politikës me botën e krimit.
Krahas akuzave për korrupsion ndaj qeverisë “Rama”, Berisha thotë se po i bëhet presion Gjykatës Kushtetuese për të zhvlerësuar përgjimet e bëra në programin aplikacionin SKY ECC.
Duke shprehur edhe njëherë se kundër tij nuk ka asnjë provë për çështjen “Partizani”, Berisha nuk dha një përgjigje të qartë nëse do të shkonte personalisht apo jo në seancën paraprake në datën 24 tetor në Gjykatën e Posaçme.
Klan News