Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Sali Berisha:- “Sot nga ora 12, dy persona ndodheshin në bunker. Sadami i Irakut në Bagdat dhe hajduti i Bagdatit në Bashkinë e Tiranës”.

Ky ka qenë epiteti më i ri, që lideri i opozitës Sali Berisha përdori për kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama, pak minuta pasi deputetëve të opozitës iu refuzua hyrja në Bashkinë e Tiranës. Por sipas Berishës, pas gjithë kësaj që ai e ka quajtur luftë e shpallur kundër opozitës, qëndron kryeministri Fatos Nano.

Sali Berisha:- “Fatos Nano po sfidon rendin kushtetues të vendit, po sfidon popullin shqiptar, shumicën e tij opozitën, po sfidon rregullat më elementare të funksionimit të demokracisë. Fatos Nano ka bërë një gabim fatal për veten e tij dhe për vendin. Ia them këtë, sepse ai ka urdhëruar dhe ai qëndron prapa gjithë kësaj, mbrapa të gjithë këtyre qëndrimeve është njeriu, i cili ka bërë marrëveshjen me Fehmi Abdiun, për të rrëzuar komisionin, por në të vërtetë unë u them se do të rrëzohen Nano dhe jo komisioni. Nuk është Edvini ai është Fatos Nano, se Edvini s’dinë ç’bën, ai është i droguar, nuk dinë ç’bën, e keni gabim, hajduti i Bagdatit është i droguar. Ai e ka mendjen vetëm drogë”.

Në këtë situatë shumë të rënduar politike, lideri i opozitës ka paralajmëruar mbledhjen urgjente të aktivit të Tiranës, ku do të merren vendimet përkatëse për reagimin e demokratëve. Burime të rezervuara njoftojnë, se në agjendën e demokratëve nuk përjashtohen protestat./tvklan.al

Gazetare – Elona Meço