Dhuna ndaj avokatit Sokol Mëngjesi është bërë objekt i debateve politike mes mazhorancës dhe opozitës.
Ish-Kryeministri Sali Berisha, në fjalën e mbajtur para protestuesve pasditen e se mërkurës goditjen ndaj avokatit të tij mbrojtjes, e cilësoi si me prapavijë puro politike, duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama.
“Unë ju them një gjë, kjo është një goditje e mirëfilltë politike. I deklaroj Edi Ramës dhe Taulant Ballës se ky është një sulm direkt kundër opozitës, do të mbash çdo përgjegjësi për këtë skenar të stisur. Se sot ke goditur një avokat të të vërtetës që të demaskoi ty para shqiptarëve dhe botës me farsën e dosjes tënde ndaj kundërshtarit politik, Sali Berisha”.
Por ministri i Brendshëm Taulant Balla hodhi poshtë akuzat, duke theksuar se opozita po e përdor ngjarjen për interesa politike.
“Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllimi vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor”.
Lidhur me ngjarjen reagoi edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili tha se çdo formë dhune meriton ndëshkim nga drejtësia.
Tv Klan