Procesi i zgjedhjeve brenda Partisë Demokratike, që pritet në fund të këtij viti, do të jetë një fillim i mbarë për arritjen e qëllimit që ka opozita, marrjen e pushtetit në 2005-ën. Kjo do të thotë se elementi kryesor që do të përdorë Partia Demokratike nuk do të jetë riciklimi, por ripërtëritja duke futur figura të reja në funksionet drejtuese që ka partia më e madhe e opozitës. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri të qartë anëtarëve të Këshillit Kombëtar se kandidaturat që do të zgjidhen, së pari në degët e rretheve, duhet të kenë mbështetje të gjerë në komunitet.

Sali Berisha: “Mendojmë për mazhorancën e re e duhet të jemi plotësisht të hapur ndaj vlerave të komunitetit ku jetojmë. Në të gjithë këtë proces ne nuk duhet të ndjekim riciklimin, por duhet të ndjekim ripërtëritjen. Tjetër është riciklimi, tjetër është ripërtëritja. Dhe me këtë nuk i zvogëlojmë vlerat askujt, por ne kemi nevojë të shtojmë vlera. Ne nuk përballojmë dot në asnjë rrethanë sfidat e ardhshme në qoftë se rrimë duke qarkulluar njëri-tjetrin dhe jo duke nxjerrë në krye, jo duke vendosur në drejtim elementin më të vlefshëm.”

Ka disa muaj që Partia Demokratike ka deklaruar hapjen e saj ndaj shoqërisë civile. Zgjedhja e elementëve të rinj do të rrisë besueshmërinë ndaj elektoratit dhe do të krijojë mundësinë për krijimin e shumicës parlamentare. Në programin e Partisë Demokratike, politika ndahet nga biznesi, lufta kundër korrupsionit e me radhë. Gjithashtu Partia Demokratike do të aplikojë sistemin një anëtar/një votë, por jo për këto zgjedhje. /tvklan.al