Hartimi i një projekti për sistemin e vaditjes në vend ka qenë tema kryesore në takimin me grupin e punës të vaditjes të drejtuar nga kryeministri Sali Berisha.
Sipas kreut të qeverisë problemi i vaditjes është jetik për zhvillimin e bujqësisë në vend.
Mandati i dytë i qeverisë do të përqendrohet në zgjidhjen e këtij problemi ka theksuar kryeministri.
Sali Berisha: “Ne duhet të synojmë një sistem vaditjeje tërësisht bashkëkohor. Ky duhet të jetë qëllimi ynë më kryesor, afatgjatë, bashkëkohor të përshtatur sipas rretheve, sipas kushteve. Do të kemi një projekt të qartë të cilin do ndjekim. Cilën formë vaditje do të organizojmë në Myzeqe, cilën në Korçë, cilën në zona t tjera dhe të procedojmë.”
Me tej kryeministri ka theksuar domosdoshmërinë e vendosjes së një dialogu me pushtetin vendor për sa i përket projekteve për vaditjen.
Ai ka sqaruar se do të ndiqet e njëjta taktikë si me ndërtimin e rrugëve dhe të ujësjellësve, duke garantuar vendorët se qeveria do të investojë çdo projekt të paraqitur nga pushtetarët vendorë.
Sali Berisha: “Të studiojmë të gjitha mundësitë dhe të jemi shumë agresivë në vaditje. Mund të jetë projekti më i kushtueshëm, nuk e di sa kushton, por ne duhet të përqendrohemi totalisht.. Rritja e prodhimit bujqësor është një nga drejtimet më të rëndësishme për rritjen e prodhimit në tërësi në këtë vend.”
Së shpejti pritet të organizohet një tryezë me përfaqësuesit vendorë, ku do të paraqiten mendime mbi sistemin e vaditjes në vend./tvklan.al