Qytetarët e Kukësit kryetari i qeverisë, Sali Berisha, i falënderoji për mbështetjen falë së cilës vendi u bë anëtar me të drejta të plota i NATO-s si dhe u hap drita jeshile për liberalizim të plotë të vizave brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Përpara banorëve kryeministri nuk do të harronte projektin më të madh në infrastrukturën rrugore, Durrës-Kukës-Prishtinë që shefi i qeverisë e cilësoi për nga përmasat dhe rëndësia si projektin gjigand të kombit shqiptar.

Sali Berisha: “Për të shëruar kështu bashkimin gjeografik dhe shpirtërorë të kombit shqiptar është rruga e të gjitha rrugëve. Por dua t’u them që këtu se dhe sikur fare të mos i shërbente tjetër kujve veçse ju. Ajo rrugë ja vlen 100 dhe 1000 herë të ndërtohej”.

Kryeministri numëroi një seri projektesh të rëndësishme në rrugë, në ndërtim apo që do të fillojnë shumë shpejt.  Ky si objektiv kryesor i qeverisë demokratike që sikundër në të gjithë Shqipërinë edhe në Kukës mandati i dytë do të shënojë asfaltimin e të gjitha rrugëve, edhe në komunat më të thella të këtij qarku. Bashkë me projektet për rrugët kryeministri kujtoi dhe projektet e rëndësishme në fushën e energjisë.

Sali Berisha: “Në këtë rreth janë për t’u ndërtuar apo në ndërtim e sipër 20 hidrocentrale të reja, ndër të cilat Skavica, një prej më të mëdhenjve në Shqipëri. Dhe t’i them zotit Rama, që erdhi këtu dhe derdhte lot krokodili se me paratë e rrugës do të asfaltoheshin rrugët e Kukësit. Zoti Rama duhet ta mësosh, rrugët e këtij qarku po asfaltohen të gjithë, duhet të mësosh zotëri se rruga Sopot-Krumë e Kukës e tëra është në ndërtim, se më 1 korrik hapet tenderi për lotin e parë Krumë-Kukës, se më 1 korrik hapet tenderi për lotin e parë Kukës-Shishtavec. Dhe unë dua t’i garantoj banorët e Shishtavecit se rrugën do ta ndërtojmë, se fjalën time do ta mbaj, se doganën do ta hapim dhe se do ta shndërrojmë Shishtavecin në një nga epiqendrat e mëdha turistike të vendit”.

Thirrjen për të votuar programin e ri qeverisës të demokratëve kryeministri Berisha adresoi edhe ndaj qytetareve me bindje të majta politike. Berisha tha se Rama nuk përfaqëson interesat e socialisteve të thjeshtë. Për këtë Berisha ftoi shqiptarët edhe në Kukës t’i bashkohen projektit europian për vendin.

Sali Berisha: “Bashkohuni me ne, në ëndrrën tonë europiane, bashkohuni me ne sepse me ne ju jeni dhjetëra herë më afër sesa me Edi Ramën dhe me 99-shat e tij. Mos harroni se armiqësia e tij ndaj rrugës nuk është vetëm armiqësi ndaj demokratëve, po është armiqësi ndaj socialistëve, ndaj kombit në tërësi. Mos harroni se kur në këtë shesh vërshonin lumenjtë e lotëve të dhimbjes se vëllezërve tanë, një njeri u thurte këngë dhe himne barbarive serbe mijë shqiptarë dhe ky është Goran Bregoviçi. Edi Rama 3 vjet më parë i vendosi në gjoks çelësin e bashkisë së kryeqytetit”…/tvklan.al