Kryeministri Berisha u ka kërkuar vlonjatëve votat për një mandat të dytë që do të bëjë të mundur realizimin e objektivit për një Shqipëri europiane.  500 milion euro janë investuar në këtë qark gjatë katër viteve, të cilat siç theksoi kryeministri, e shteruan Vlorën në një kantier të vërtet ndërtimi. Berisha tha, se program i demokrateve synon shndërrimin e Vlorës në metropolin më të rëndësishëm të rajonit dhe këtij qëllimi i shërben dhe ndërtimi i rrugës Durrës –Morinë.

Sali Berisha: “Vlora sot është buzë një agimi shumë të madh është në prag të shndërrimit të saj në një nga metropolet më të fuqishme të Shqipërisë dhe rajonit. Në katër vitet që vijnë Vlora do të ketë portin më të madh të rajonit, për Shqipërinë, për Ballkanin, për Evropën. Qytetarë të Vlorës porti  dhe rruga e kombit janë të lidhur me njëri-tjetrin si shpirti me trupin dhe dua t’u them këtu se armiqtë  e rrugës janë armiqtë e Vlorës. Ne rrugën nuk e kërkuam për të zvogëluar portet e askujt, por rrugën e ndërtuam për Vlorën , Tiranën, Prishtinën, shqiptarët kudo që janë.”

Punësimi është kryefjala e programit të demokrateve. Ishte rasti qe kryeministri të kujtonte disa prej projekteve konkrete që do të bëjnë të mundur realizmin e objektivit për 160 mijë të punësuar në mandatin e dytë.

Sali Berisha: “Shqipëria në punë”, do të jetë motoja jonë. Shumë flasin për punën, por ku do t’i punësojnë . A mund të punësojnë ata të dashur vlonjatë  edhe vlonjate që votuan kundër të gjitha marrëveshjeve koncesionare, në të cilat me laps në dorë  punësohen së paku 100 mijë shqiptarë? Vetëm porti i Vlorës do të punësojë 30 mijë deri në 50 mijë qytetarë.”

Në mandatin e dytë objektivi është që asnjë shqiptar të mos ketë të ardhura nën dy dollarë në ditë. Me prioritet do të shihet dhe ndërtimi i gjithë rrjetit rrugor në vend.

Sali Berisha: “Unë e kam mbajtur fjalën time, hidhni sytë drejt bregut dhe shihni se rruga ndjek autostradën me katër korsi që lidh Vlorën me Tiranën, lidh Vlorën me Shkodrën, lidh Vlorën me Prishtinën, lidh Vlorën me botën.  Ne që sollëm drita 24 orë , ne do të sjellim ujë në çezmat  tuaja kudo që ndodheni 24 orë. Unë zotohem para jush në këtë shesh, se vitin e parë të mandatit të dytë ju do të lëvizni në mbarë Evropën, pa viza në dinjitet të plotë.”

Lista demokrateve në Vlorë kryesohet nga kryetari i grupit Astrit Patozi, ai gjithashtu i kërkoi vlonjatëve votën për zbatimin e programit evropian të demokrateve.

Por edhe në Vlorë kryeministri  Berisha i bëri apel për kandidim për deputet kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Berisha ironizoi përmbajtjen e këngës që udhëheq fushatën elektorale të socialisteve  ndërsa theksoi se qeveria që drejton do të vazhdoje rrugën e ndryshimit te vendit…/tvklan.al

Gazetare Menada Zaimi