Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, pasi është konsultuar me ekspertë të shumtë për ngritjen e impiantit për përpunimin e plehrave në vendin tonë, del në konkluzionin, se një gjë e tillë do të vinte në rrezik serioz jetën e qytetarëve.

Kryedemokrati shprehet, se plehrat mund të përpunohen në impiante, ose gropa me shtresa të mëdha argjili, në mënyrë që plehrat të mos depërtojnë në ujërat nëntokësore, gjë që për një vend të pazhvilluar si Shqipëria, do të ishte e pa mundur të realizohej.

Sali Berisha: “I them edhe njëherë Fatos Nanos, kakarisë sa të duash mbi plehun që jeton dhe noton, Shqipërinë kosh plehrash nuk do mund ta lëshosh. Kjo thotë, marrëveshje kriminale e 2K Group, pikë depozitimi plehrash në Maminas. Marrëveshja kriminale e 2K Group, nuk është me qeverinë Meksi, por është me qeverinë Majko të vitit 2002. Kjo marrëveshje dhe Majko bashkë me marrëveshjen shpallen kriminelë, sepse këtu vjen era Fatos, ndaj dhe urgjentisht duhet të thirret ministri respektiv në parlament, me procedurë urgjente të vijë edhe ai tjetri që kakarisë mbi pleh”.

Ndër të tjera, lideri demokrat kritikon presidentin Alfred Moisiu, për premtimin e bërë për reformën në drejtësi, duke marrë shkak nga aktakuzat e shpeshta ndaj deputetit Lesi.

Sali Berisha: “Presidenti faktikisht, reformën në drejtësi që premtoi e ka harruar”.

Deputetët demokratë u udhëzuan nga kryetari i tyre që të shohin të gjitha mundësitë ligjore dhe kushtetuese, për të inkurajuar këtë reformë./tvklan.al