14 vite pas vrasjes së katër qytetarëve që ishin pjesë e protestës së PS-së në vitin 2011, palët ia faturojnë njëra-tjetrës përgjegjësinë e tragjedisë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha thotë se është i gatshëm që të pyetet nga SPAK në lidhje me ngjarjen e 21 Janarit, ndërsa thotë se përgjegjësia reale është mbi Kryeministrin Edi Rama.
“Mbështes çdo lloj hetimi të kësaj ngjarje, por gjithashtu deklaroj se s’ka asgjë tjetër, vetëm për të shpëtuar përgjegjësitë, Edi Ramës”, tha Sali Berisha.
Në një deklaratë nga selia blu ai u shpreh se kjo protestë u zhvillua vetëm për qëllime pushteti nga Edi Rama.
“U sollën për qëllime të mirëfillta politike për të pushtuar Kryeministrinë, është pra totalisht dëshmi e keqpërdorimit total të kësaj ngjarje, kryekëput për qëllime politike dhe për të fshehur përgjegjësinë e organizatorëve që sollën njerëz në një protestë më të dhunshme që ka patur Shqipëria në 32 vite”, tha Berisha.
Kryedemokrati përshëndeti dhe betimin e Donald Trump si Presidenti i 47-të i SHBA, duke thënë se zotimet e tij do të forcojnë amerikën dhe të gjithë rendin botëror. Ndërsa, nuk i fsheh përpjekjet për të hequr masën e non gratës ndaj tij.
Klan News