Lajme Arkiva – TV Klan 2003
Opozita shqiptare do të jetë e bashkuar në Parlament, për çështjen Rama. Një ditë para se Kuvendi të vendos për ngritjen ose jo të komisionit hetimor, ndaj kyebashkiakut të Tiranës Edi Rama, partitë e opozitës do të mbajnë të njëjtin qëndrim në mbrojtje të Kushtetutës, për të përcaktuar reagimin ndaj pozicionit mohues të mazhorancës.
Lideri i opozitës ka mbledhur kryesinë e PD, duke siguruar se do të shfrytëzojnë çdo mënyrë demokratike, për të hetuar kryebashkiaku Rama, zoti Berisha ka sulmuar ashpër edhe kryeministrin Fatos Nano.
Sali Berisha:- “Tek Fatos Nano, krimi i organizuar ka protektorin, strumbullarin, më të fuqishëm. Është ky kryeministër, që brenda 6 muajve, u dorëzoi për interes të vetin dhe llogari të vetin krimit të organizuar financat e shtetit. Për zotin Nano dhe kabinetin e tij, integrim do të thotë, babëzi e çmendur”. Ndërkohë edhe reformatorët do të veprojnë njëlloj si demokratët në Parlament, në mbrojtje të Kushtetutës, për të mos qenë të përçarë përballë socialistëve.
Ferdinand Xhaferri:- “Edi Rama nuk mund dhe nuk ka për t’i shpëtuar kontrollit parlamentar nga komisioni hetimor të cilin e mundëson dhe e garanton Kushtetuta. Këtu çështja nuk shtrohet, që Partia Demokrate është apo nuk është me zotin Berisha. Çështja e vërtetë ka të bëjë me faktin, se për të mbrojtur Kushtetutën, opozita nuk mund të jetojë luksin e të qenit e përçarë”.
Në rast se në Kuvend do të vendoset kundër hetimit të kryebashkiakut, opozita ka deklaruar, se do ta kthejë këtë në një çështje ndërkombëtare./tvklanal
Gazetare – Elona Meço