Kryeministri Berisha deklaroi se Shqipëria do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian brenda presidencës çeke.
Këtë deklaratë shefi i demokratëve e bëri gjatë mbledhjes së grupit ku falënderoi vendet anëtare të BE-së për ratifikimin e marrëveshjes, e cila për shefin e mazhorancës kupton një stad të ri kontraktual dhe politik në marrëdhëniet e Shqipërisë me BE-në.
Sali Berisha: “Shqipëria tani i ka të gjitha rrugët hapur që brenda presidencës çeke të paraqesë kërkesën për statusin e kandidatit. Tani se mund të shtyhet pak sa të thahet uji normale, ne miqtë i mirëkuptojmë, por brenda presidencës çeke do ta paraqesim dhe e meritojmë plotësisht për faktin se përfundoi tërësisht marrëveshja”.
Duke e cilësuar Prillin si muaji historik për shqiptarët pas Nëntori që koincidon me samitin e Strasburgut për shefin e qeverisë niveli i rivendosur në marrëdhëniet me BE-në erdhi si pasojë e reformave të ndërmarra nga mazhoranca qeverisëse.
Sali Berisha: “U deshën tetë vjet që procesi të dilte nga vendnumërimi i tij. Këtë e bën të mundur para së gjithash shembja e murit të krimit të organizuar në Shqipëri, shembja e sistemit të kleptokracisë në Shqipëri dhe shpallja e qeverisë shqiptare kampione për reformat e saj në luftën kundër korrupsionit. Standardet e lirisë dhe të drejtave të njeriut fituan gjatë këtyre viteve dimensione që nuk i kanë njohur më parë. Janë një seri raportesh ndër më seriozet ndërkombëtare, të cilat deklarojnë se qeveria nuk ka ndërhyrë në politikat editoriale”.
Për shefin e demokratëve ky moment historik është bërë i mundur dhe falë politikave që qeveria ka ndërmarrë për të mos u prekur nga kriza ekonomike globale.
Edhe pse, vijoi Berisha, opozita sipas tij thotë se ekonomia vendase është infektuar prej saj.
Sali Berisha: “Shqipëria të mos ketë krizë. E kundërta Shqipëria mund të ketë pasoja dytësore prej saj, por unë ju garantoj ju se shumë shpejt se Shqipëria do të rinjohë një dimensionim të madh tjetër të investimeve”.
Në mbledhjen e grupit kreu i qeverisë premtoi angazhimin e mazhorancës në përmbushjen e standardeve që rrjedhin si pasojë e marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit duke thënë se kjo është shndërruar tashmë në një detyrim për Shqipërinë./tvklan.al
Gazetar: Jolldiz Mitro