Me në krah kandidatët për deputet në një listë që kryesohet prej Ministrit të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, kryetari i qeverisë tha i sigurt edhe në Elbasan, se projekti i demokratëve për Shqipërinë europiane do të fitojë në 28 qershor. Takimi në Elbasan pason një tur të ngjeshur takimesh të kryeministrit me qytetarë të Vlorës, Beratit, Kavajës, Gjirokastrës, Krujës apo Fushë-Krujës shoqëruar me inaugurimin e një seri veprash publik të financuara nga buxheti i shtetit. 

Sali Berisha: “Qytetarë dhe qytetare të Elbasanit, gara është e jona, fitorja është e jona. Rrofshi ju, rroftë fitorja, të rinjtë e fitores po vërshon në çdo qytet dhe fshat të këtij vendi, në këtë zemër të shqiptarëve djem dhe vajzave, të rinjve dhe të rejave. Ne jemi sot fitimtar, fitorja po ecën me shpejtësi me madhështi të pa paparë drejt datës 28”.

Projekti i demokrateve parashikon hapjen e 160 mijë vendeve të reja të punës. Këtij qëllimi i shërben dhe ndërtimi i 20 hidrocentraleve vetëm për qarkun e Elbasanit ku projekti me gjigand do të ngrihet mbi kaskadën e Devollit. Të gjithë këto investime llogariten në 1.6 miliard euro por dhe mijëra të punësuar.

Sali Berisha: “Elbasani do ketë një nga parqet më dinamike industriale. Banorëve të Dumresë ju premtoj përfundimin e të gjithë infrastrukturës moderne që i lidh ata me Elbasanin, me Kuçovën, me Beratin, me mbarë Shqipërinë.  Nga Elbasani, dua t’u premtoj qindra e mijërave qytetarëve shqiptarë që presin me padurim legalizimin e shtëpive të tyre, legalizimi është vepra jonë. Unë ju garantoj ju se kjo qeveri ka përgatitur çdo gjë dhe po legalizon jo më pak se 5 mijë banesa çdo javë. Ju bëj thirrje hidhuni të gjithë në tregun e letrave me vlerë. Fjala ime e nderit është se 80% të vlerës tërësore të legalizimit do ta paguani me letra me vlerë”. 

Financim të të gjitha projekteve për fermerët e kësaj zone subvencionim të akcizës së naftës janë angazhimet e qeverise demokratike për mandatin e dytë. Kryetari i qeverise premtoi ndërtimin e kampusit universitar në krastë por duke vënë theksin tek infrastruktura rrugore që lidh këtë qark me gjithë vendin.

Sali Berisha: “Vota sëbashku me ne është votë për autostradën e re Elbasan-Tiranë, është votë për autostradën e re Qukës-Qafë Plloçë-Pogradec”.

Për të gjitha këto projekte, të detajuara në programin e ri qeverisës kryeministri kërkoi edhe në Elbasan mbështetjen e qytetareve pa dallim bindjesh partiake.

Sali Berisha: “Me 28 qershor votoni 10-ën. Votoni idealin tuaj europian, idealin e Kristoforidhit dhe të burrave të mëdhenj të kombit nga Elbasanit. Votoni 10-ën. Është Shqipëria blu, është Partia Demokratike, është Europa blu që mezi pret Elbasanin e Shqipërinë blu, për ti dhënë lirë e plotë të lëvizjes në mbarë kontinentin vitin e parë të mandatit tonë të dytë”…./tvklan.al