Në përmbyllje të deklaratës së tij para SPAK, kryedemokrati Sali Berisha tha se privatizimin e kompleksit “Partizani” e ka bërë Partia Socialiste. Ai shtoi se Edi Rama kërkon të zgjasë qeverisjen e tij, duke e lënë të izoluar pikërisht në vitin elektoral.
“U vura në arrest me pretendimin se kam nisur procesin e privatizimit dhe se kam ndryshuar destinacionin. Privatizimin sipas dokumentave e ka kryer PS. Shndërrimin e tokës nga terren sportiv në truall ndërtimi e ka bërë Edi Rama. SPAK në vend që të arrestojë Ramën, i cili i dha bonus kompanisë të paregjistruar, ata kanë arrestuar një drejtor bashkie. Sot, unë po shkoj të marr akuzën politike dhe të njihem me materialet e manipuluara, akuzë pa asnjë provë, fakt e dokument, por vetëm të diktuar nga Rama. Në gjykatë nuk është përmendur asnjë herë emri i Sali Berishës, ndërkohë që është mbajtur 9 muaj në arrest. Ky vendim s’ka bazë ligjore, duke e lënë Berishën të izoluar në vitin elektoral, kjo është dëshmi se Rama është i gatshëm të bëjë çdo gjë për t’i zgjatur jetën regjimit të tij duke kthyer krimin politik në votë dhe votën në krim”, tha Berisha.
Ai përsëriti akuzat e tij ndaj Prokurorisë së Posaçme.
“Drejtësi që amniston krimin, vjedhjen e miliardave, që merr milionin për të mos bërë pyetjen. Që merr peng gjykatës e prokurorë? Do ua jap faktet. Kjo është drejtësia private e Edi Ramës!”
/tvklan.al