Gjermania mbështet Shqipërinë për miratimin e statusit të vendit kandidat.
Një fakt i tillë është bërë publik pas takimit kokë më kokë mes kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministrit Sali Berisha, gjatë samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive të Partive Popullore Evropiane të mbajtur në Bruksel.
Pas takimit kryeministri Berisha tha se kërkesa e Shqipërisë do të marrë dritën jeshile menjëherë pas konstituimit të Bundestagut gjerman, miratim që do t’i japë mundësi presidencës suedeze të propozoje diskutimin e saj në Komisionin Evropian.
Sali Berisha: “Pasi e urova njëherë për fitoren e madhe historike për mbarë Evropën, në zgjedhjet e shtatorit, i bëra të ditur problemin, se Shqipëria është në pritje të këtij moment, ishte dhe kryeministri Reinfeld aty, dhe se presidenca suedeze, dmth pret që të ketë dritën jeshile nga qeveria gjermane dhe parlamenti gjerman në mënyrë që të diskutojë në këshill statusin e kandidatit për Shqipërinë, pasi të tjerat nuk kanë ndonjë rezervë. Në të vërtetë më garantoi, më tha dje është mbledh parlamenti dhe në ditët apo javët në vazhdim vazhdon konstituimi i tij, sepse duhet të krijojë komisionet e të gjitha me radhë, por ne tha, do të bëjmë çdo gjë për ta realizuar në kohën më të shkurtër të mundshme. “
Erisa Zykaj: “Samiti i Partive Popullore Evropiane ka qenë një rast për liderët e djathtë për të folur lidhur me traktatin e Lisbonës dhe ndryshimet klimatike. Por republika çeke për momentin vazhdon që të mbajë pezull vendet anëtare të Bashkimit Evropian deri në 3 nëntor ndërkohë për kryeministrin Berisha ka qenë rasti që të marrë disa garanci më tepër lidhur me kandidaturën evropiane të Shqipërisë.” /tvklan.al